Kisha “Monument Kulture” drejt rrënimit

05/11/2016 00:00

Kisha “Fjetja e Shën Marisë” në Bishqethem të Lushnjes, është drejt rrënimit të saj. Kjo kishë, është një nga katër kishat e shpallura “Monument Kulture” në Lushnje dhe stili i saj ndeshet vetëm në Myzeqe.

E ndërtuar në vitin 1750, me afreskët murale nga tavani deri në dysheme nga vëllezërit Çetiri, kjo kishë është ndër më të rëndësishmet në Lushnje.

Për shkak të mungesës së investimeve që nga ndërtimi i saj në shekullin e 18-të, ndërtesa rrezikon të shembet. Çatia, e cila pikon e gjitha, ka sjellë dëmin më të madh, pasi reshjet e shiut lagin afresket murale, duke shkaktuar prishjen e tyre.

“Kërkojmë nga Ministria e Kulturës, nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës që të ndërhyhet urgjentisht për një restaurim tërësor të kishës. Monumentet e Kulturës nuk vijnë të bëjnë asnjë lloj restaurimi, por vetë Kishën nuk e lënë që të ndërhyjë”, thotë prifti i kësaj kishe, At Thoma Bame.
 
Inventari i Monumenteve të Kulturës rrezikon të humbasë një tjetër trashëgimi me vlerë historike të vendit tonë në rast se nuk ndërhyhet sa më parë.

“Kur shikon që afreskët 250-vjeçarë po rrënohen dhe nuk ka asnjë lloj interesi që të vijnë të paktën t’i hedhin një sy, të shohin se çfarë mund të bëhet, qoftë edhe pak. Kjo është më pak e dhimbshme se lënia në harresë. Kisha është e veçantë për nga stili. Janë të pakta kishat në Myzeqe që kanë hajatin e bashkuar dhe brenda kanë këmbanat”, thotë historiani Niko Ferro.

E njohur për stilin unik te saj, kisha “Fjetja e Shën Marisë”, në fshatin Bishqethem, në vitin 1960 u shpall “Monument Kulture e Kategorisë së Parë”.

Top Channel