Koleksioni i rrallë kuqezi

03/11/2016 00:00

Shpëtim Sala ka pasion të koleksionojë shumë gjëra. Por flamujt e identifikojnë atë si koleksionisti më i veçantë në simbolikën tonë kombëtare. Sot, ai ka një koleksion të plotë me 40 flamuj dhe aksesorë të tjerë, me simbolin e shqipes dykrenare.

“Flamuri i vitit 1905, që vjen nga Shkodra. Është flamur i qëndisur me shkronja me alfabetin shqiptar”, thotë Shpëtim Sala, koleksionist.

Në 7 mars të vitit 1914, kur Princ Vidi preku tokën shqiptare, pritja e tij ishte e shoqëruar me flamuj, një prej të cilëve Sala sapo ia ka shtuar koleksionit të tij.

“Është një flamur që ka lidhje me ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri. Është një flamur në formë trekëndëshi”, rrëfen ai.

Flamujt më të rëndësishëm në këtë koleksion janë ata që janë qëndisur nga familjet shqiptare, ata që kanë shoqëruar ngjarje historike, apo që kanë qenë frymëzim për grupe patriotike.

“Një nga flamujt emblemë është ai i klubit ‘Gjuha shqipe’, prapë në Shkodër, e vitit 1910”, thotë koleksionisti.

Së shpejti, ky koleksion do të jetë në një muze virtual të Qendrës Mbarëkombëtare të Koleksionistëve Shqiptarë.

“Për muzeun virtual të flamurit ne jemi në fazën e përfundimit të faqes së internetit dhe të muzeumit. Shpresojmë që për festat e Nëntorit ta kemi gati”, bëri të ditur Endri Prifti, koordinator i QMKSH.

Top Channel