Festivali Ndërkombëtar i Teatrit

01/11/2016 00:00

Për të 18-in vit me radhë në  teatrin “Skampa” të  Elbasanit  po zhvillohet Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor. Janë 18 shfaqje, të cilat për 5 netë do të mbajnë të mbërthyer publikun.

“Gjithë synimi ynë është që si e si ne të arrijmë të shtrijmë mundësinë e ndikimit të festivalit drejt audiencave të reja. Ne jemi duke e shtrirë festivalin përveç Elbasanit edhe në qytete të tjera. Janë parashikuar 6 shfaqje në qytetin e Tiranës, kemi ftuar edhe një shfaqje që si target ka gjeneratat e reja, fëmijët. Kemi ftuar një trupë nga Suedia”, thotë drejtori artistik i festivalit, Andonis Filipi.

Edhe pse për herë të parë në këtë festival, trupa e Suedisë shpreh dëshirën për t’u rikthyer.
 
“Kjo është hera e parë për ne në Shqipëri dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu pasi kemi  takuar shumë njerëz të dashur. Është kënaqësi të marrësh pjesë në një Festival të shkëlqyer si ky. Shfaqja jonë, është një histori skandinave. Bëhet fjalë për natyrën dhe krijesat që jetojnë në të. Kjo histori na tregon se si duhet të jetojmë  me natyrën dhe të bashkëveprojmë me të”, thotë një pjesëtar i trupës suedez.
 
Këtij Festivali nuk i kanë munguar asnjëherë figurat më të njohura të skenës.
 
“Është ndoshta festivali më i bukur që bëhet në gjithë Shqipërinë sepse i zgjedh dramat”, thotë aktorja Tinka Kurti.

Në edicionin e 18 të këtij festivali marrin pjesë trupa teatrore nga Suedia, Kosova, Mali Zi, Argjentina, Maqedonia, Italia, Shtetet e Bashkuara, Izraeli dhe Romania.

Top Channel