Danimarka, me një muze kushtuar Andersenit

01/11/2016 00:00

Një muze i ri kushtuar jetës dhe veprës së shkrimtarit të famshëm danez për fëmijë, Hans Christian Andersen, do të ndërtohet në vendin e tij të lindjes, në Odense.

Ngritja e godinës planifikohej prej vitesh, por këtë projekt e bëri realitet vetëm dhurimi i 125 milionë kronave daneze, apo 33 milionë dollarëve nga fondacioni “A. P. Moller”, pronar i grupit të naftës dhe transportit detar “A. P. Moller-Maersk”.

Arkitektët japonezë të “Kengo Kuma & Associates” paraqitën propozimin fitues, që do të krijojë – siç thonë ata, – një muze “magjik” në një sipërfaqe prej 5.600 metrash katrorë. Pjesa më e madhe e tij do të jetë nën tokë.

“Ky është në vetvete një projekt tepër unik. Ai mund të tregojë një drejtim krejtësisht të ri të arkitekturës dhe dizajnit. Muzeu do të përfshijë edhe kopshte. Materialet që do të përdoren, do të jenë të pastra dhe natyrale. Është ajo që duam të tregojmë, një lloj i ri dizajni, një lloj i ri muzeu, ndryshe nga kutia e zakonshme e betontë”, tha Kengo Kura, arkitekt.

Muzeu i ri do të sjellë diçka më shumë se ekzistuesit, sepse përpos vëmendjes së kushtuar jetës personale dhe udhëtimeve të shkrimtarit, do të përqëndrohet fort te magjia e përrallave të tij. Ai do të ofrojë një mundësi të rrallë për të krijuar një univers të Andersenit, i cili do të jetë joshës si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit.

Përrallat e Hans Christian Andersenit janë përkthyer në 160 gjuhë të botës. Edhe pse rrëfimtari vdiq më shumë se 140 vite më parë në Copenhagen, ku kaloi dhe pjesën më të madhe të jetës, puna e tij dhe statuja e “Sirenës së vogël” në portin e kryeqytetin danez vazhdojnë të tërheqin një numër të madh turistësh në vend.

Top Channel