FRD ende pa koalicion, kërkon reformën zgjedhore

28/10/2016 11:15

Partia e Bamir Topit ende nuk e ka vendosur me cilin koalicion do të bashkohet për të garuar në zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës, por në kërkesën për ndryshimet e Kodit Zgjedhor ka bërë bashkë pothuajse të gjitha kërkesat që kanë PS, PD dhe LSI.

“Listat e të zgjedhurve të jenë të hapura, duke nxitur një garë të ndershme mes kandidatëve dhe duke rikthyer lidhjen natyrale dhe të nevojshme të deputetit me zgjedhësit e tij. Emigrantët duhet të jenë në fokus të reformës zgjedhore, duke ju mundësuar atyre votimin në vendet ku jetojnë. Reforma zgjedhore duhet të mundësojë barazi financimi. Ligji I ri zgjedhor duhet të ashpërsojë dënimet penale për krimet zgjedhore. FRD propozon që sanksionet penale, për cilindo që tenton të ndërhyjë padrejtësisht në procesin zgjedhor të jenë jo më pak se 3 vjet”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, Gazmend Oketa.

Megjithatë, FRD mendon se në kodin aktual duhet të bëhen të tjera ndërhyrje, propozime këto që kanë qenë pjesë e programit të kësaj partie përpara zgjedhjeve lokale të 2015-ës, ku partia e Bamir Topit garoi në koalicionin e majtë.

“Procesi i numërimit të votive duhet të rikthehet në qendrën e votimit, për të mos lejuar manipulimet që vijnë nga numërimi në KZAZ. Qendra e Votimit të ketë 5 anëtarë nga 7 që ka aktualisht. Anëtarët të përzgjidhen nga trupa arsimore e zonës ku është vendosur QV, me short KZAZ emëron anëtarët e QV. KZAZ të ketë gjithashtu 5 anëtarë nga 7 që përcakton kodi aktual”, shtoi Oketa.

Top Channel