Shërbimi i ugjencave në Jug, me sistem të ri gatishmërie

23/10/2016 00:00

Qarku i Gjirokastrës do të ketë në gatishmëri 7 autoambulanca, vendndodhja e të cilave do të jetë sipas një skeme të re, teksa përveçse në Memaliaj, Poliçan e Dropull, autoambulanca do të ketë edhe në pikën doganore të Kakavijës.

“Deri më sot, autoambulancat që ishin njëherësh në gatishmëri ishte vetëm një për 38 mijë banorë. Ndërsa tani do të kemi një autoambulancë për 22 mijë banorë. Kemi pasur 4 autoambulanca njëherësh në gatishmëri, ndërsa tani do të jenë 7 të tilla”, tha ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

E gjithë flota e autoambulancave do të menaxhohet nga Qendra Kombëtare e Urgjencave në Tiranë, me qëllim shpërndarjen e tyre më të mirë dhe shkurtimin e kohës së mbërritjes në spital. Ndërkohë që spitalet rajonale do të mbështeten financiarisht për shtimin e personelit.

“Po kalojmë në disponibilitet për t’i shërbyer nevojave për urgjencë të paktën nga mëngjesi deri në darkë me rreth 135 automjete njëherësh. Me po atë flotë, por duke u dhënë drejtorive të spitaleve më shumë mjete financiare për të pasur më shumë të punësuar sesa drejtues automjetesh, më shumë infermierë”, tha më tej Ilir Beqaj.

Sipas skemës së re, tashmë shoferi i autoambulancës do të dijë të ndihmojë infermierin dhe të mbajë barrelën e pacientit.

Top Channel