Ndihma për fermerët, Rama: Zgjidhje për pronësinë mbi tokën

22/10/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama u shpjegoi këtë të shtunë  fermerëve në Këlcyrë se si fondi shtetëror i garancisë do të funksionojë.

Deri tani, sipas tij, fermerët nuk mund të merrnin dot kredi pa pasur titullin e pronësisë mbi tokën, por edhe nuk kishin çfarë të vendosnin kolateral, gjë që do të realizohet duke dalë garant shteti. Një gjë që, siç tha kryeministri, nuk e bëri qeveria e mëparshme.

“Me ç’kurajo flasin këta kur nuk bënë gjënë më elementare, të zbatonin ligjin e vitit 1991, me konsensus nga dy partitë e atëhershme dhe të sotmet, 7.501-shin, që çdo familje të marrë tokën që i takon dhe të jetë pronare e tokës. Ne e kemi filluar procesin për shpërndarjen e titullit të pronësisë dhe bashkitë e çojnë përpara këtë  proces”, deklaroi Rama.

Rama foli për një organizim të përbashkët të fermerëve, që nga mbjellja e produktit e deri në shitje.

“Nuk mund të vazhdojmë me historinë e këtyre viteve ku secili ka dy ose tre dynum dhe i mbjell ato, sepse duke qenë secili më vete rriten kostot dhe nuk ka treg, prandaj i mbetet pa shitur prodhimi dhe shumëkush merr domatet në krah dhe del në rrugë. Në fund, gjithë produktin do ta shesim bashkë, nëse jemi në punë të harmonizuar secili më vete, por në shitje bashkë. Ky është suskesi”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, qeveria socialiste ka dhënë fondin më të madh për pastrimin e kanaleve të ujit dhe kullimit dhe kanalet e reja.

“Ne, në tre vjet s’kemi bërë asnjë mrekulli, se ato janë për përëndinë, por kemi bërë aq sa sot mund të themi me plot gojën se po venosim bazën e një shteti ku për secilin ka detyrime dhe rregulla të përbashkëta, por për çdonjërin ka mundësi për  sukses”, shtoi Rama.

Top Channel