Memaliaj, sekuestrohen 370 kg kanabis në proces tharje

22/10/2016 00:00

370 kg kanabis janë sekuestruar nga ana e bluve në fshatin Kamçisht të Memaliajt, ndërsa janë shpallur në kërkim dy persona të dyshuar si poseduesit e kësaj sasie lënde narkotike.

Mësohet se operacioni i policisë është organizuar në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në banesën e K.M dhe F.M përpunohet lëndë narkotike.

Si rezultat i këtij operacioni, nga kontrolli i ushtruar në këtë banesë, në dy bodrumet e saj dhe në një kasolle afër shtëpisë u gjet lëndë narkotike në proces tharje, me peshë totale 370 kg.

Burime nga policia bëjnë me dije se dy shtetasit e lartpërmendur në momentin që është finalizuar operacioni nuk ndodheshin në banesë. Policia ka shpallur në kërkim dy pronarët banesës ku ndodhej edhe lënda narkotike, ndërsa materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

Top Channel