Dervishaj inspekton impiantin e përpunimit të ujërave në Orikum

22/10/2016 00:00

Rreth 30 mijë banorë përfituan këtë verë shërbim më të mirë pas vënies në punë të impiantit të ri të ujërave në zonën e Orikumit, ndonëse jo me kapacitet të plotë.

Projekti u financua nga Banka Islamike dhe qeveria shqiptare, me një vlerë prej 15 milionë dollarësh. Por ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Sokol Dervishaj thotë se në fazën e dytë të projektit, përfitues do të jenë 70 mijë banorë, duke përfshirë këtu fluksin e madh të pushuesve në sezon turistik.

“Jemi duke diskutuar për të parashikuar në buxhetin e vitit të ardhshëm të sektorit përkatës një investim shtesë me paratë e buxhetit të shtetit, për të ndërlidhur një rajon sa më të gjerë, gjithë fshatrat përreth, edhe me burimet alternative të ujit, në mënyrë që qytetarët të kenë një shërbim sa më cilësor”, deklaroi Dervishaj.

Në anën tjetër, ministri Dervishaj kërkoi përmirësimin e kapaciteteve administruese nga ana e pushtetit vendor të këtyre aseteve për të siguruar një shërbim sa më cilësor për qytetarët.

Top Channel