Merkato në Formula 1, Renault do Hulkenberg për 2017

11/10/2016 00:00

Renault kërkon të bëjë ndryshime për Botërorin e Formula 1 të vitit 2017. Skuderia franceze po mendon që të ketë në radhët e saj vitin e ardhshëm pilotin gjerman të Force Indias, Nico Hulkenberg. Sipas asaj që publikohet te “Autosport”,  bisedimet mes Renault dhe vetë Hulkenberg kanë nisur dhe shpresohet që shumë shpejt të nënshkruhet kontrata mes tyre që do të jetë 2-vjeçare me opsion për rinovimin e saj edhe për një vit të tretë.

Hulkenberg në të  vërtetë ka një kontratë me Force Indian edhe për vitin 2017, por në të duket se ekziston një klauzolë që e lejon atë të largohet. Hulkenberg nga ana e tij mezi e pret largimin nga Force India me Renault që është gati ta presë krahëhapur gjermanin.

Mësohet se Renault më parë kishte bërë një tentativë për spanjollin Carlos Sainz Jr, por drejtuesit e Red Bull  refuzuan ofertën e francezëve pasi nuk dëshironin që të privoheshin prej tij duke deklaruar se Sainz ka një kontratë afatgjatë me Toro Rosson.

Kjo detyroi Renault të hedhë sytë te Hulkenberg që konsiderohet si një pilot me eksperiencë. Hulkenberg e ka bërë debutimin në Formula 1 në vitin 2010 dhe ka marrë pjesë në 111 gara. prej 4 vitesh është pjesë e Force Indias, ndërkohë që në 2013 ai garoi për Sauber.

Top Channel