Reforma zgjedhore, Balla: Depolitizimi, e ardhmja e KQZ-së

30/09/2016 00:00

Ndërkohë, bashkëkryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Taulant Balla, që zëvendësoi në këtë post dy javë më parë Bashkim Finon, tha se deri në dhjetor do të adresohen pjesa më e madhe e sugjerimeve të OSBE/ODIHR.

Sipas Ballës, e ardhmja është depolitizimi i KQZ, por që nuk mund të arrihet për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

“Është e pamundur që kjo të arrihet në këto zgjedhje dhe kërkon konsensus të gjerë. Aktualisht Komisioni është i tillë që mjafton mungesa e konsesusit dhe s’kemi produkt”, tha ai.

Balla u ndal edhe tek përdorimi i teknologjisë. Ai shprehu keqardhjen për dështimin e projektit pilot në 2013 dhe kërkoi që të shihet mundësia e zbatimit të tij në 2017.

“Do ishte mirë të kishim një projekt pilot në 2017. Ne kemi qenë forca e parë që e kemi propozuar që në 2012. Teknologjia është armiku i manipulimeve. Aty ku ka teknologji, ka më pak vend për manipulim, por kjo kërkon strukturë teknike në 5 mijë qendra votimi e më pas edhe në qendrat e numërimit. Ne po e diskutojmë, madje kemi kërkuar që me ekspertizën e huaj të vlerësojmë këtë nundësi”, deklaroi deputeti socialist.

Balla tha se ekziston vullneti politik dhe mbledhjet e hapura të Komisionit mirëpresin përfaqësues të partive politike, por edhe ekspertë që të japin mendimet e tyre.

Ndërkohë, Kristaq Kume u shpreh skeptik për reformën. Ai tha se për një reformë zgjedhore cilësore duhet të ndërhyhet në Kushtetutë, ndërsa kërkoi një studim më të mirë për çështjen e votës së emigrantëve dhe pasojat që sjell ajo në Kuvend.

Këto deklarata u bënë në tryezën për reformën zgjedhore të organizuar këtë të premte në Tiranë me nismë të ish-Presidentit Moisiu.

Top Channel