Trajtim për të sëmurët. Psikologët kundër izolimit dhe paragjykimit

06/09/2016 00:00

Psikologët mendojnë se personat me probleme mendore që jo të gjithë janë të rrezikshëm, para se të izolohen në spitalet psikiatrike apo të paragjykohen, kanë nevojë të trajtohen.

“Si ti pikasim këta persona, jo ti izolojmë, nuk jam pro-izolimit. Disave prej tyre i bën dëm nga ana profesionale, i dëmton më keq. Këta persona për t’u pikasur është ai check-up-i, nëse një mjek pikas një person i cili ka një çrregullim mendor, ai duhet ta referojë tek psikiatri dhe psikiatri duhet të marrë masat e duhura”, shprehet Oriola Pampuri, psikologe.

Në një shoqëri ku kurba e problemeve sociale dhe ekonomike është në rritje, edhe problemet e stresit me gjasë shndërrohen në forma të ndryshme depresioni, që mund të manifestohet në sjellje me rrezikshmëri të lartë për shoqërinë. Prandaj edhe ngritja e qendrave në formën e shtëpive mbështetëse po kthehet në domosdoshmëri.

“Mund të jetë edhe një shtëpi mbështetëse të cilat janë për personat nuk e kanë sëmundjen aq të avancuar, pra nuk përbëjnë rrezik për komunitetin. Atë që duhet të marrë përsipër shteti është të sigurojë këto shtëpi mbështetëse”, vijoi Pampuri.

Të gjitha këto janë të lidhura zinxhir dhe hapi i parë është kontrolli. Por edhe vetë komuniteti duhet të kontribuojë në identifikimin e personave të tillë për të referuar nëse ata përbëjnë risk. Po sipas psikologëve edhe komuniteti në raste të tilla është apatik.
 
“Ne reagojmë vetëm kur merren hapa të tillë të rrezikshëm, nuk reagojmë atëherë kur duhet të reagojmë. Nuk reagojmë kur pikasim një rast të rrezikshëm në komunitetin tonë”, tha Pampuri.

Top Channel