Veliaj: Këtë javë përfundojmë 4 kopshtet e mbetura

05/09/2016 00:00

Të gjitha kopshtet në Tiranë, si në qendër ashtu edhe në periferi, ofrojnë të njëjtat kushte cilësore për fëmijët e kryeqytetit.

Ky është synimi i Bashkisë së Tiranës, e cila nëpërmjet nismës “Adopto një kopësht” ka mundur të rikonstruktojë tërësisht edhe kopshtin numër 38 në zonën e Kombinatit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili inspektoi punimet e kryera në këtë ambient, tha se bashkia po punon për të ofruar të njëjtin standard për çdo fëmijë të Tiranës.

“Më vjen mirë që kemi sjellë të njëjtin standard, për të treguar që fëmijët e Tiranës janë njësoj të çmuar, si ata që kanë lindur në periferi, ashtu edhe ata në qendër”, tha Veliaj.

Sipas tij, të gjitha statistikat tregojnë se mënyra se si rriten fëmijët deri në moshën 5 vjeç përcakton mënyrën se si ata do të rriten dhe do të jetojnë në 50 vitet e ardhshme, ndaj dhe kujdesi ndaj këtij brezi është shumë i rëndësishëm.

“Më vjen mirë që po ngrejmë baza të shëndosha. Nuk po mendojmë për zgjedhjet e ardhshme, por po mendojmë për gjeneratën tjetër. Kjo është më e dobishme në jetën e një qyteti se çdo vendimmarrje tjetër”, tha Veliaj.

Ai shtoi se tashmë kanë mbetur dhe vetëm 4 kopshte për të përmbushur premtimin e dhënë, që ky vit arsimor t’i gjejë të gjitha kopshtet e Tiranës me të njëjtat standarde, ndërkohë që më pas fokusi i bashkisë do të kalojë te ndërtimi i shkollave.

Top Channel