Të rinjtë e mbytur në Korçë; Përjashtohet vrasja, hetime për gropën e tragjedisë

21/08/2016 00:00

Policia e Korçës ka përjashtuar mundësinë e një vrasjeje, ngjarjen që ndodhi në fshatin Qatrom ditën e premte ku humbën jetën dy kushërinj 19 dhe 18 vjeç.

Sipas policisë dosja i është kaluar Prokurorisë e konsideruar si ngjarje aksidentale dhe se ekspertiza ka treguar se asnjë prej dy viktimave nuk ka shenja dhune në trup.

Të premten në orën 20:00 policia e Korçës ishte njoftuar se në vendin e quajtur “Gropa e Danielit”, një kënetë e krijuar nga marrja e argjilës dhe inerteve ishin futur dy të rinj dhe nuk kishin dalë më.

Pas disa ore kërkimesh me mjete rrethanore policia është tërhequr për të kërkuar ndihmën e polombarëve të RENEA-s.

Këtyre të fundit i janë dashur vetëm disa punë dhe të shtunën në orën 13:30 minuta nxorën nga uji trupa e pajetë të dy viktimave.

Policia mbylli hetimin për ngjarjen, por jo autoritetet lokale të cilët të pranishëm në vendngjarje deklaruan se do verifikojnë se si është krijuar kjo grope pranë një zone të banuar.

“Këto janë toka bujqësore, të cilat janë ndarë sipas ligjit 7501 dhe më pas nga ana e pronarëve u është shitur një biznesi për të nxjerrë argjilë”, shprehet Sotiraq Filo, kryetari i Bashkisë së Korçës.

“Ne kemi nisur një proces verifikimi për mënyrën se si janë hapur këto gropa. Deri tani kemi shqyrtuar një pjesë të dokumentacionit, që i referohet 5-6 vite para, kur ka pasur edhe një vendim për hapjen e tyre. Hetimi do të vijojë më të tej, do të shkojë deri në detaje. Çfarë ka ndodhur, a janë të shoqëruara me lejen përkatëse apo jo”, shprehet prefekti i Korçës Ardit Konomi.

Dy viktimat Rei dhe Berti Tahirllari ishin kushërinj dhe banorë të fshatit Qatrom që ndodhet në periferi të qytetit të Korçës.

Top Channel