Udhëtimin në plazhin e Velipojës e vazhdojmë nga skaji më verior i saj, në drejtim të jugut. Kjo është rruga që të çon në plazhin e Vilunit.

Pishat dhjetëravjeçare të kujtojnë plazhet shqiptare të viteve të shkuara, kur dora e njeriut nuk kishte ndërhyrë akoma për t’i kthyer në beton. Në zonë gjenden më pak struktura akomoduese dhe restorante. Por freskia dhe qetësia që të ofron pylli e bën mëse të përshtatshme për personat që udhëtojnë me “camper” apo ata që pëlqejnë kampingun me çadra në vend të luksit.  

Sipërmarrësi Aleksandër Pjetri thotë: “Vijnë turistë nga e gjithë Europa, por më shumë po frekuentohet nga turistët çekë dhe ne jemi shumë të kënaqur nga këta turistë”.

Të huaj apo shqiptarë, sipërmarrësit e zonës janë gjithmonë në kërkim të plotësimit sa më të mirë të ofertës turistike. Kuzhinieri Hasan Hasani shprehet: “Punoj 45 vite në këtë profesion si gjellëbërës, jam këtu sepse vijnë kosovarë që kërkojnë gjellë kosovare”.

Për të apasionuarit pas gjuetisë me grep, ky është vendi ideal. Laguna e Vilunit ofron një shumëllojshmëri gjallesash nënujore.

Laguna e Vilunit ka një sipërfaqe prej rreth 360 hektarësh. Grykëderdhja e saj bashkon plazhin e Vilunit me një tjetër plazh të zbuluar rishtazi, por ende të pashfrytëzuar në një pjesë të konsiderushme të sipërfaqes së tij, Rrjollit. Bëhet fjalë për rreth 5 km vijë bregdetare e cila është tërësisht e virgjër, ndërsa pjesa e shfrytëzuar, ndonëse ende e qetë, mund të arrihet edhe përmes kësaj rruge, pa hyrë ende në qendrën e Velipojës.

Në plazh takojmë pushues shqiptarë dhe të huaj. Këta të fundit, përherë të gatshëm për të na rrëfyer eksperiencën e tyre në Shqipëri: “Njerëzit janë të sjellshëm, më pëlqen ky vend për peizazhin dhe qetësinë që të ofron. Kam qenë po ashtu në Durrës, Lushnje, Shkodër. Më solli shoqja ime për një dasmë dhe më pëlqen shumë tradita shqiptare, jeni shumë të gjallë. Mendoj të vij sërish vitin tjetër”.

Por ata që duken më të kënaqur me këtë mrekulli të natyrës janë më të vegjlit: “Kam ardhur nga Italia dhe njerëzit që kam njohur te plazhi janë shumë simpatikë”.

Top Channel