Nxirren trupat e pajetë të adoleshentëve të mbytur në rezervuar

20/08/2016 00:00

Polumbarët e RENEA-s kanë bërë të mundur gjetjen e trupave të pajetë të dy të rinjve të cilët mbrëmjen së premtes ishin futur në ujërat e rezervuarit në fshatin Qatrom të Korçës, por pa mundur që të dalin dot prej andej.

Pas një pritjeje prej më shumë se 20 orësh për ardhjen e polumbarëve, janë dashur pak minuta kërkim nga këta të fundit, që të gjendeshin trupat e dy të rinjve.

Kushërinjte Rei dhe Berti Tahirllari u denoncuan të zhdukur tek policia mbrëmjen e së premtes nga familjarët e tyre, të cilët hodhën dyshime menjëherë se ata mund të jenë mbytur, pasi një banor i zonës kishte gjetur rrobat e tyre në breg të rezervuarit.

Por vetëm pasdreken e së shtunës, rreth orës 14 e 15 minuta u bë e mundur gjetja e tyre.

Pritja e gjatë për ardhjen e polumbarëve ka provokuar revoltimin e familjarëve të dy të rinjve, të cilët janë konfliktuar edhe me policinë, që nuk i ka lejuar t’i bënin vetë kërkimet.

Trupat e dy të rinjve do t’i nënshtrohen ekspertimit mjeko-ligjor përpara se t’u dorëzohen familjeve për ritet mortore.

FOTO GALERI
1/9

Top Channel