Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, një organ i Kombeve të Bashkuara dështoi në arritjen e një traktati sa i përket aksesit dhe përdorimit të internetit.

Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Australia dhe Kanadaja refuzuan të nënshkruajnë projekt-traktatin e dalë nga bisedimet që u mbajtën në Dubai, ndërkohë që një pjesë e vendeve të tjera të Bashkimit Europian kërkuan më shumë kohë për t’u konsultuar për traktatin në fjalë.

Unioni, i njohur si ITU (International Telecommunication Union) organizoi një konferencë 12-ditore në Dubai me synimin që të arrinte një traktat. Vendet që e refuzuan këtë traktat kundërshtonin edhe thirrjen për të drejta të barabarta mes shteteve në qeverisjen e internetit, por pika që ndau krejtësisht palët ishte ajo që kishte të bënte me të drejtat e njeriut.

“Na vjen keq për mundësinë e humbur për të patur një marrëveshje, por Shtetet e Bashkuara e kanë të pamundur që të nënshkruajnë një traktat në këtë formë. Interneti i ka dhënë botës një hov zhvillues të të tjera përmasave në fushën ekonomike dhe sociale në këto 24 vite dhe ne nuk mund të bëjmë hapa pas”, tha Terry Krames, përfaqësuesi i Shteteve të Baskuara në Konferencën Ndërkombëtare të Telekomunikacionit.

Në konferencë u rrëzua propozimi i Rusisë, mbështetur nga Kina, Arabia Saudite, Algjeria dhe Sudani që bënte thirrje për menaxhim të barabartë nga të gjithë qeveritë për IP, emërtimet, adresat dhe burimet e identifikimit në internet.

Bisedimet nuk prodhuan traktat, por prodhuan një dokument të votuar 77 me 33 pas thirrjes së Iranit për votim. ITU këmbëngul se pavarësisht se nuk ka fuqinë e një traktati, ky dokument do të ndihmojë vendet që e kanë nënshkruar për më shumë transparencë dhe më shumë siguri në botën online.

Objektivi i konferencës ishin gjithashtu edhe masat për uljen e sulmeve kibernetike.

Top Channel