Franca, nën ujë. Edhe në Gjermani vërshojnë ujërat. 8 të vdekur

02/06/2016 00:00

Përmbytjet e mëdha që kanë përfshirë Europën e Veriut detyruan Presidentin Francois Hollande të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në Francë.

“Kemi shpallur gjendjen e katastrofës natyrore në të gjithë terriroret e prekura nga moti i keq. Do të aktivizojmë menjëherë fondin e emergjencës në mbështetje të komuniteteve lokale, që janë përfshirë nga përmbytjet”, tha Francois Hollande.

Në prag të kampionatit europian të futbollit, të paktën dy persona kanë humbur jetën në Francë, ndër të cilat një 86-vjeçare ndërroi  jetë në shtëpinë e saj të përmbytur. Muzeu i Luvrit ka mbyllur dyert për vizitorët, pasi stafi po evakuon të gjithë veprat e artit, në bazë të planit të emergjencës për rujatjen e tyre.

Ndërsa mijëra persona kanë braktisur banesat e tyre, pasi stuhitë kanë shtaktuar gjendjen e emergjencës. Qindra shtëpi dhe rrugë janë mbuluar nga uji. Zyrat, dyqanet dhe shkollat, po ashtu janë mbyllur.

Jugu i Parisit është shpallur në gjendje alarmi të kuq, ndërsa lumi Senë ka dalë nga shtrati, pasi arriti nivelin 4.45 m, por autoritetet thonë se niveli mund të arrijë deri në 5.7 metra.

Ndërsa në Gjermani janë shënuar 8 viktima. Po ashtu në pjesën jugore të vendit, lumenjtë e dalë nga shtrati kanë dëmtuar rëndë qytetet bavareze. Ekipet e shpëtimit përdorën varka për të evakuuar banorët e bllokuar në këto zona.

Megjithatë situata nuk pritet të përfundojë me kaq. Për meteorologët, shirat do të vijojnë me të njëjtën intensitet, duke rritur kështu frikën e përkeqësimit të gjendjes nga përmbytjet më të rënda në 100 vitet e fundit.

Top Channel