Ndërtimi pa leje, Rama: Për çdo shtesë, e gjithë godina pa leje

06/05/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama shprehet i vendosur të çojë deri në fund luftën kundër informalitetit, duke vendosur me ligj se për çdo devijim nga leja e ndërtimit e gjithë ndërtesa do të konsiderohet e paligjshme.

“Nuk lejohet të ndërtosh ballkon, aneks, kat pa leje, përndryshe i gjithë objekti është pa leje. Boll më, shteti të gjejë mjete të sofistikuara për të prishur katin shtesë…”, tha Rama.

Por në anën tjetër, qeveria po përpiqet të lehtësojë procesin e lejeve përmes aplikimit online që ka nisur prej muajit prill. Për kryeministrin Rama, kjo është një mënyrë për të luftuar korrupsionin. Deri në shtator, qytetarët mund të aplikojnë në të dyja format ndërsa pas kësaj faze tranzitore aplikimi online do të jetë i detyrueshëm.

“Presim më shumë profesionalizëm nga punonjësit e shërbimit civil, transparencë më pak korrupsion dhe procedurë të përshpejtuar për qytetarët dhe investitorët”, tha Eglantina Gjermeni, ministre e Zhvillimit Urban.
 
Maqedonia është vendi lider në rajon sa i përket procesit të aplikimit për leje ndërtimi online.

“Tani pata dy emaile që investitorë në Maqedoni po aplikojnë për leje ndërtimi. Sistemi funksionon edhe në Shqipëri, pra mund të shoh gjithçka ndodh në vendin tim, çdo hap të procesit. Edhe investitori ndjek se ku është problemi nëse leja ngec diku. Të gjitha vendet duhet të kenë sistem elektronik të shkëlqyer”, u shpreh Vlado Misajlovski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve në Maqedoni.

Top Channel