Maqedoni, sërish protesta kundër vendimit të Ivanov

14/04/2016 00:00

Pas vendimit të presidentit maqedonas për të amnistuar politikanët që janë nën hetime, në Shkup po shtohen zërat që kërkojnë dorëheqjen e George Ivanovit. Këtë vendim, pasditen e së enjtes e kanë kundërshtuar mijëra qytetarë, që dolën në protesta para godinës së Parlamentit në Shkup dhe selisë së partisë VMRO-DPMNE, që drejtohet nga Nikola Gruevski.

“Lidhur me faljen e përgjithshme nga ana e Presidentit Ivanov më 12 prill, vlerësojmë se është e domosdoshme që ky vendim të tërhiqet sa më parë, kurse nga George Ivanov kërkojmë të japë dorëheqjen për këtë vendim të turpshëm”, tha një protestues.

Në këtë protestë, që u organizua nga të paktën 80 organizata joqeveritare, ka marrë pjesë edhe kreu i LSDM-së, Zoran Zaev. Aktivistët e shoqërisë civile kërkuar edhe shtyrjen e zgjedhjeve të qershorit, deri në plotësimin e kushteve për votime të lira.

“Nëse kjo nuk ndodh dhe zgjedhjet nuk shtyhen, nuk na mbetet asgjë tjetër përveçse të bojkotojmë zgjedhjet, për të cilat prej tani mund të themi se do të jenë të manipuluara dhe të vjedhura nga pushteti”, tha një tjetër protestues.

Nga ana tjetër, partia e Nikola Gruevski ka ftuar në protesta mbështetësit e saj, të cilët kanë protestuar para selisë së LSDM-së kundër faljes së kreut të kësaj partie opozitare, Zoran Zaev.

Top Channel