Maqedoni, protesta kundër Ivanov dhe Zaev në Shkup

13/04/2016 22:00

Mijëra qytetarë kanë protestuar të mërkurën para zyrës së presidentit maqedonas Gjorgje Ivanov, që ndodhet në qendër të Shkupit, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të fundit të tij për të falur të gjithë politikanët e akuzuar për manipulime zgjedhore dhe vepra të tjera penale.

Protesta është mbështetur nga partia opozitare LSDM. Në drejtim të zyrës së presidentit demonstruesit kanë hedhur gurë, vezë dhe koktejl molotovi, ndërsa janë përleshur edhe me policinë në momentin që nuk janë lejuar t’i afrohen selisë së VMRO-DPMNE-së për të protestuar.

Qytetarët e revoltuar kanë thënë se nuk do të lejojnë të falen kriminelët që shkatërruan demokracinë në Maqedoni. Ata kanë kërkuar dorëheqjen e Ivanovit dhe kanë djegur fotografinë e tij.

“Të gjithë duhet të japin përgjegjësi dhe të jenë të barabartë para ligjit. Kushdo që ka kryer vepra penale duhet të dalë para drejtësisë”, tha një protestues.

“Si juriste mund të them se vendimi i Ivanovit është i frikshëm për demokracinë. Ligjet dhe Kushtetuta duhet të respektohen dhe askush nuk mund të dalë mbi to”, u shpreh një tjetër.

Nga ana tjetër, edhe partia më e madhe maqedonase, VMRO-DPMNE, ka tubuar mijëra qytetarë në një protestë kundër vendimit për faljen e liderit të opozitës Zoran Zaev, për rastin e njohur me emrin “Puçi”.

Protestat në Shkup kundër Ivanov dhe Zaev janë zhvilluar në të njejtën kohë, por forcat e shumta të policisë nuk kanë lejuar që demonstruesit kundërshtarë të konfrontohen mes tyre.

Top Channel