Hetimet për helikopterin, pyeten krerët e bazës së Farkës: Fluturimi, sipas ligjit

13/04/2016 00:00

Prokuroria e Shkodrës ka pyetur 3 ushtarakë të Regjimentit të Farkës, në cilësinë e personave që kanë dijeni mbi fluturimin e helikopterit të aksidentuar të mërkurën e kaluar.

Mes ushtarakëve të pyetur nga oficerët e Policisë Gjyqësore Ushtarake është edhe komandanti i bazës ajrore të Farkës, kolonel Kuto Hasani. Burimet deklaruan se ushtarakët kanë pohuar se helikopteri fluturonte në një mision stërvitor, sipas itinerarit Tujan-Qafë Buall, më tej në Qafë Luzhë e Valbonë, e deri në Koplik, ndërsa kthimi ishte përmes zonës së Shkodrës.

“Jo pa autorizim, të lutem. Nuk kam asnjë autorizim për të dhënë intervista. Të gjitha gjërat janë të dokumentuara dhe sipas ligjit”, tha kolonel Kuto Hasani, komandant i bazës ajrore të Farkës.

Gjatë ditës, Prokuroria i ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes, që t’i bashkëngjisë grupit hetimor dy ekspertë teknikë të Aviacionit, të cilët do t’i shërbejnë për ekspertimin e helikopterit të aksidentuar, që mbahet në Shkodër i bllokuar në cilësinë e provës materiale për llogari të hetimeve.

Kërkesës së ministres së Mbrojtjes për asistencë, ambasadori francez iu përgjigj pozitivisht.

“Ne jemi të gatshëm të japim asistencë gjyqësore në lidhje me këtë dosje, megjithatë kjo është një dosje që nuk më përket tashmë mua, por autoriteteve gjyqësore”, tha ambasadori francez.

Top Channel