Amnistia e Ivanovit për politikanët nën hetim shkakton reagime dhe protesta

13/04/2016 00:00

Vendimi i presidentit maqedonas, George Ivanov, për të amnistuar politikanët që janë nën hetim, ka thelluar edhe më tepër krizën politike. Mijëra qytetarë dolën rrugëve të Shkupit për të protestuar kundër këtij vendimi.

Kreu i opozitës maqedonase, Zoran Zaev tha se me këtë vendim, presidenti është vënë në mbrojtje të kriminelëve në pushtet dhe bëri thirrje që protestat të vazhdojnë.

“Kjo është arsyeja më serioze, që qytetarët ta marrin drejtësinë në duart e tyre dhe kjo do të ndodhë”, tha Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së.

Sipas kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, vendimi i Ivanovit nuk është zgjidhje për krizën dhe duhet të anulohet. Ndërsa kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi vlerëson se, pa zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve, Maqedonia asnjëherë nuk mund të bëhet shtet normal.

“Vendimi i Ivanovit është një vendim i ngutshëm, i pamenduar fare, dhe si vendim i tillë nga një i ashtuquajtur president, jolegjitim, nuk ka legjitimitet”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

“Maqedonia nuk po arrin stabilitet funksional si shtet prej 26 vitesh. Derisa shqiptarët nuk i arrijnë të drejtat e tyre kolektive, të kthyera në norma në aspektin kushtetues dhe juridik, unë jam skeptik se Maqedonia mund të jetë një shtet normal”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Pas vendimit të Ivanovit ka reaguar edhe Bashkimi Europian dhe Ambasada e SHBA-ve në Shkup, duke ftuar të gjitha palët në Maqedoni që të evitojnë rreziqet që shembin përpjekjet për ta përforcuar sundimin e së drejtës.

Top Channel