FBI arriti të zhbllokojë “iPhone”-in e agresorit të San Bernardinos pa ndihmën e kompanisë “Apple”, duke i vënë kështu “kapakun” çështjes gjyqësore të nisur mes palëve. Lajmi u njoftua nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.

Në një deklaratë nga kryeprokurorja e Kalifornisë, Eileen Decker, sqarohet se hetuesit ishin ndihmuar nga një palë e tretë, pa specifikuar se për kë bëhej fjalë. “Apple” po kundërshtonte një urdhër gjykate të lëshuar muajin e kaluar, që i kërkonte kompanisë t’i mundësonte FBI-së aksesin në telefonin e Syed Rizwan Farook.

Por, autoritetet thanë të hënën se e kishin zhbllokuar vet atë, duke kërkuar tërheqjen e urdhrit. Farook dhe bashkëshortja e tij vranë 14 persona në muajin dhjetor në San Bernardino, para se të ekzekutoheshin nga policia. Zyrtarët amerikanë thonë se, bashkëshortja e Farook, Tashfeen Malik, ditën e sulmit i kishte shpallur besnikërinë të ashtuquajturit Shtet Islamik, në rrjetin social.

Nuk ka vonuar reagimi i gjigantit të teknologjisë. “Që prej fillimit kundërshtuam kërkesën e FBI-së për ndërtimin e një dere të pasme tek ‘iPhone’, pasi ne besojmë se është e gabuar dhe se do vendoste një precedent të rrezikshëm. Si rezultat i braktisjes së çështjes nga ana e qeverisë, asgjë nga këto nuk ndodhi”, thuhet në deklaratën e “Apple”. Kompania shtoi se do të vazhdonte të rriste sigurinë e produkteve të saj.

Seanca gjyqësore e radhës me kompaninë u shty, me kërkesë të Departamentit të Drejtësisë, ndërsa ky i fundit po përpiqej të zbulonte mënyra të reja për të pasur qasje te telefoni i vrasësit. “Apple” këmbëngulte se nuk ishte në gjendje të fitonte aksesin në telefon.

Një gazetë izraelite raportoi javën e kaluar se, ekspertë të kompanisë për sigurinë kibernetike “Cellebrite”, që i ka zyrat në Izrael, ishin të përfshirë në këtë çështje. Edhe vet kompania tha për median britanike BBC se, kishte bashkëpunuar me FBI-në, por nuk ofroi detaje të mëtejshme.

Top Channel