Prindërit që publikojnë fotot e fëmijëve të tyre nëpër rrjetet sociale mund të paditen në të ardhmen prej vet atyre. Kjo, bazuar në ligjet e privatësisë në Francë.

Nënat apo baballarët mund të dënohen deri në një vit burgim dhe me një gjobë prej 35 mijë paund, nëse rezultojnë fajtorë për publikimin e detajeve të jetës private të fëmijëve të tyre, pa lejen e tyre.

Ekspertët thonë se fëmijët francezë mund të padisin prindërit qoftë edhe për publikimin e një fotoje të vetme në rrjete si Facebook apo Twitter.

“Pas pak vitesh, fëmijët mund t’i dërgojnë me lehtësi prindërit e tyre përpara dyerve të gjykatave, për publikimin e fotove të tyre kur kanë qenë të mitur”, thotë Eric Delcroix, një ekspert i ligjeve dhe etikës mbi internetin, për gazetën “Le Figaro”. “Fëmijët, në faza të caktuara të jetës së tyre nuk do të donin mbase as të fotografoheshin, e jo më që fotot e tyre të bëheshin publike”, shton më tej ai.

Çdo i rritur që mund të padisë prindërit e tij për shkelje të të drejtës së privatësisë, kur ata kanë qenë fëmijë, mund të përfitojnë kompensim, thonë më tej ekspertët.

Në shkurt, Xhandarmëria franceze, e shqetësuar mbi sigurinë e fëmijëve, postoi një mesazh në Facebook, ku lexohej: Ju lutem, mos publikoni fotot e fëmijëve tuaj në Facebook. Mos harroni se, publikimi i tyre në rrjete sociale nuk është i sigurtë. Mbetet shumë e rëndësishme që të mbroni privatësinë e të miturve dhe shfaqjen e tyre nëpër rrjetet sociale”.

Top Channel