Në përpjekje për të shtuar luftën ndaj propagandës së Shtetit Islamik në mediat sociale, administrata Obama po formon një ekip të teknologjisë së lartë që do të luftojë me grupin terrorist në internet.

Gjatë një takimi në Ministrinë e Drejtësisë, shefat e kompanive Apple, Twitter, Snapchat, Facebook e të tjerë, ofruan propozimet e tyre për autoritetet.

Zyrtarë amerikanë të Departamentit Antiterrorizëm thanë se administrata po ndërmerr hapa për të luftuar Shtetin Islamik në mediat sociale, ku kjo ushtri terroriste ka frymëzuar njerëz që të bëjnë sulme.

Pjesëmarrja e Apple në takim është për t’u theksuar, duke qenë se kjo kompani po përplaset ashpër me administratën për çkodimin e telefonit të një terroristi. Përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë dhe Ministrisë së Drejtësisë refuzuan që të thonë se kontraditka e Apple me qeverinë u përmend në takim.

Sipas CNN, në këtë takim morën pjesë thuajse 50 kompani teknologjike dhe shumë segmente të administratës. Qëllimi i takimit ishte informimi i kompanive për strategjitë që IS përdor për të komunikuar me platformat e tyre dhe zhvillimi i planeve për të luftuar kundër kësaj propagande.

Megjithëse detajet nga takimi janë të pakta, analistët thonë se një qëllim mund të jetë gjetja e një rruge të mesme, që të mos i kërkohet kompanive të zbulojnë të dhënat e përdoruesve, në këmbim të bashkëpunimit dhe përdorimit të platformave të tyre në internet për të luftuar terrorizmin.

Top Channel