Militantët e Shtetit Islamik i kanë hapur luftë Facebook-ut dhe Twitter-it pasi kanë publikuar një video ku kërcënojnë me vdekje themeluesit e këtyre dy rrjeteve sociale, Mark Zuckergerb dhe Jack Dorsey.

Në videon e gjatë 25 minuta shihen fotografitë e Zuckerberg dhe Dorsey me vrima plumbash në fytyrë dhe të përfshirë nga flakët. Kërcënimet vijnë pasi këto dy rrjete sociale janë shumë aktive në luftën kundër terrorizimit.

Facebook dhe Twitter kanë mbyllur me qindra mijëra llogari të cilat dyshohen se përdoreshin nga militantë të Shtetit Islamik për të bërë propagandë dhe për të bindur të rinjtë t’ju bashkohen.

“Ju vazhdimisht po mbyllni llogaritë, prandaj na lejoni t’ju bëjmë një pyetje: Kjo është e gjitha çfarë mund të bëni? Ju nuk jeni në nivelin tonë. Nëse ju fshini një llogari ne do të hapim 10 të tjerë”, thuhet në kërcënimin e ISIS.

Ndërkohë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdon debati nëse gjigantët teknologjikë janë duke bërë mjaftueshëm në luftën kundër terrorizimit, duke përmendur këtu përplasjen e fundit të FBI me Apple, me këta të fundit që nuk pranojnë të zhbllokojnë një telefon iPhone të vrasësit të San Bernandinos.

Departamenti Antiterrorizëm në Shtëpinë e Bardhë ka mbledhur në një takim shefat e kompanive Apple, Twitter, Snapchat, Facebook e të tjerë për të diskutuar për mundësinë e bashkëpunimit në luftën ndaj terrorizmit.

Top Channel