Shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook, kritikoi FBI-në për mënyrën se si trajtoi urdhrin e gjykatës që urdhëronte kompaninë të ndihmonte në çkodimin e telefonit të vrasësit të San Bernardinos, Sajed Rizvan Faruk.

Cook deklaroi në një intervistë për televizionin ABC se kompania mori vesh për kërkesën e FBI nga mediat. “Nuk mendoj se duhej të kishin vepruar kështu. Diçka kaq e rëndësishme për këtë vend duhej të ishte trajtuar ndryshe”, deklaroi ai.

Por sipas BBC, një burim i afërt me hetimin tha se fjalët e Cook nuk janë të vërteta, pasi ekipi ligjor i Apple ishte i pari që kishte marrë vesh për planin e FBI. Zyrtarisht, FBI bëri me dije se nuk kishte ndërmend që të komentonte deklaratat e Tim Cook.

Ky i fundit në intervistë tha se Apple kërkon të mbrojë të dhënat personale të përdoruesve dhe nëse hap një telefon, kjo mund të bëhet me gjithë të tjerët. “Ka gjëra që janë të vështira dhe ka të tjera që janë të drejta. Kjo që po bëjnë ne i përfshin të dyja këto”, tha Cook duke ju përgjigjur pyetjes nëse ishte i shqetësuar se refuzimi i tij mund të pengojë hetime të ardhshme të FBI-së.

Mediat amerikane ndërkohë raportojnë se Apple po punon për një përditësim të programit të iPhone, që do ta bëjë të pamundur çkodimin e tij me mënyrën e propozuar nga FBI.

Sipas ekspertëve, Apple po përpiqet ta zgjidhë situatën duke nxjerrë jashtë loje propozimet e FBI-së, pavarësisht urdhrave të gjykatës.

Reagimet në SHBA kanë qenë të ndryshme përsa i takon pyetjes nëse Apple duhet të ndihmojë FBI-në apo jo dhe në disa qytete janë organizuar protesta të vogla ku njerëzi i kanë kërkuar FBI-së që të mos prekë telefonat e tyre.

Top Channel