Vizita e Kerryt  në Shqipëri, në mediat ndërkombëtare

14/02/2016 00:00

Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, në Tiranë është pasqyruar gjerësisht edhe nga mediat ndërkombëtare, veçanërisht “Associated Press” dhe “Reuters”. Të dyja këto medie prestigjioze kanë dhënë si arsye të vizitës së kryediplomatit amerikan në Shqipëri nxitjen për avancimin e reformave në vend, por me theks të veçantë nxitjen e reformave antikorrupsion.

Sipas asaj që shkruan “AP”, John Kerry kërkon të nxisë palët politike në Shqipëri, qeverinë dhe opozitën, të mbështesin paketën ligjore që është në pritje për t’u miratuar në Parlament. Kerry e sheh këtë mbështetje si tepër decizive, në mënyrë që Shqipëria të hedhë një hap përpara në synimin për t’iu bashkuar BE-së.

Mes ndryshimeve që kanë nevojë për miratim është edhe krijimi i një gjykate të re antikorrupsion, sikurse dhe një zyrë prokurorie, por mbi të gjitha krijimi i një trupe të ngjashme me Byronë Federale të Hetimit në SHBA. Për të gjitha këto, Amerika ka ofruar 20 milionë dollarë asistencë në mbështetje të reformave, ndërkohë që edhe 5 mln USD të tjerë janë dhënë vetëm këtë vit.

Pas takimit me Kerryn, me të zbritur nga avioni në Aeroportin “Nënë Tereza”, Presidenti Bujar Nishani ka siguruar kryediplomatin amerikan se “Shqipëria është e vendosur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Reforma në sistemin e drejtësisë është përpjekja e fundit për të pastruar atë që dikur është konsideruar si një nga qeveritë më jofunksionale të Europës, siç thotë “AP”, teksa informon edhe mbi miratimin e ligjit për dekriminalizimin, që u ndalon personave të inkriminuar të emërohen në poste kyçe publike.

Në fund, por jo më pak e rëndësishme për Kerryn, është edhe falënderimi ndaj Shqipërisë për kontributin e dhënë në luftën kundër Shtetit Islamik.

Top Channel