Mesazhi i Kerry-t për mazhorancën: Votoni reformën në drejtësi

14/02/2016 00:00

Një tur i shpejtë në zyrën e Ramës dhe një ndalesë jashtë protokollit në bibliotekën e Kryeministrisë. Pas insistimit të Victoria Nuland, Sekretari Kerry ka dalë jashtë zyrtares, duke vizituar ambientet e rinovuara të Kryeministrisë dhe duke dhënë premtimin se do t’i dhurojë bibliotekës, disa prej librave të tij personalë.

Më pas, i shoqëruar nga Victoria Nuland, ai është ulur ball për ballë në sallën e “Hartave” me delegacionin shqiptar. Dy veçanti ka pasur delegacioni shqiptar. Prani në të të Pandeli Majkos, por në veçanti të Ylli Manjanit. Në mungesë në protokoll të një takimi me Ilir Metën, duket se Kryeministri Rama ka preferuar të ketë në krah të tij nënkryetarin e LSI-së, si dhe ministrin më në fokus të reformës më të rëndësishme edhe për amerikanët, asaj në drejtësi.

Burime nga delegacioni shqiptar i thanë Top Channel se në takimin dy palesh Sekretari Kerry ka përdorur të njëjtën gjuhë dhe të njëjtat shembuj që përdori edhe në daljen para medias. Por, Sekretari i Shtetit, sipas burimit, është shfaqur shumë i informuar për situatën dhe aktorët politikë në vend.

Sipas të njëjtit burim, Sekretari i Shtetit ka kërkuar mbështetjen e plotë dhe të shpejtë të faktorit politik në vend, duke përdorur shprehjen specifike:

“Për reformën në drejtësi duhet mbështetje e të gjitha formacioneve politike. Dhe këtu nuk kam parasysh ndërmarrjet kriminale”.

Sipas burimit, kjo është një shprehje e përdorur shpesh nga ambasadori Lu në takimet me liderët e politikës shqiptare, të mazhorancës dhe të opozitës. Fakti që konfirmon këtë informacion, është edhe përmendja në publik dhe referenca më shumë se një herë e ambasadorit Donald Lu në fjalën e Sekretarit Kerry.

“Sikurse më ka treguar ambasadori ynë këtu, Donald Lu, marrëdhëniet tona janë jashtëzakonisht të shëndetshme dhe shumë të ngrohta. Ju jemi shumë mirënjohës për këtë”, ka thënë Kerry. 

Po ashtu, sipas burimit, Sekretari Kerry ka forcuar idenë para delegacionit shumëngjyrësh të qeverisë dhe mazhorancës, se Ambasada e Shteteve të bashkuara flet jo në emër të saj, por të Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

“Presidenti Obama, unë dhe populli amerikan ju jemi shumë mirënjohës për udhëheqjen që ju ofroni dhe përpjekjet e ekipit tuaj. Shtetet e Bashkuara janë absolutisht të përgatitura dhe të gatshme, unë jam këtu ta konfirmoj këtë në emër të presidentit Obama, që ne jemi me ju në këtë transformim dhe në këtë rrugëtim”, ka deklaruar Kerry.

Duket se Sekretari Kerry, ndryshe nga kontaktet e mëparshme me autoritetet shqiptare, ka qenë shumë i informuar për aktoret, faktorët dhe situatën politike në vend.

Gjatë një ore e gjysmë udhëtimi drejt Tiranës, ai është informuar hollësisht nga zëvendësja e tij, Victoria Nuland, e cila merret konkretisht me çështjet e Shqipërisë.

Por, gjuha e pastër dhe e drejtpërdrejtë e Sekretarit Kerry për reformën në drejtësi, tregon se Shtetet e Bashkuara kësaj radhe, kur i kërkojnë partive politike ta votojnë, e kanë shumë më seriozisht se herët e tjera.

Top Channel