29 janar 1886, Carl Benz prezanton makinën e parë me motor me djegie të brendshme, që sot njihet edhe si bërthama e “perandorisë automobilistike gjermane”.

Bëhet fjalë për një makinë primitive, të ngritur mbi 3 rrota të mëdha, (pak a shumë si ato të biçikletave), por që bart një motor me djegie të brendshme katër kohësh, një cilindër horizontal 954 centimetër/kub që siguronte 400 xhiro për minutë dhe prodhonte 0,55 deri në 0,75 kuaj fuqi.

Carl Benz do të pagëzonte krijesën e tij të parë me emrin “Patent Motorwagen” dhe “padashje” do të hynte në histori si makina e parë, pavarësisht se ishte me tri rrota, ndryshe nga shpikësit e tjerë që pasuan më vonë.

Më shumë sesa forma e mjetit, Carl Benz merr meritën për ndërtimin e mjetit me motor me  djegie të brendshme duke iu nënshtruar të tjera ligjeve teknike.

Të tjera risi teknologjike të tij janë motori njëcilindërsh me katër kohë, kompakt dhe i shpejtë, radiatori me ujë, djegia e benzinës, ndezja elektrike dhe të gjitha bazat e mjeteve moderne.

Me të gjitha këto risi teknologjike të asaj kohe, “Motorwagen” i parë del në qarkullim në vitin 1886. Ky mjet ishte bërthama e asaj që do të zhvillohej me shpejtësi e që sot e njohim si “Mercedes Benz”.

FOTO GALERI
1/1
Patent Motorwagen

Top Channel