Apple vendosi të tërheqi vullnetarisht miliona karikues, të shitur kryesisht në Europë, pas raportimit të një serie incidentesh elektrike të shkaktuara nga këta karikues.

Në një deklaratë publike, kompania amerikane thotë se është në dijeni të 12 incidenteve të tilla dhe u kërkon klientëve të vet që të mos i përdorin më këta karikues.

Karikuesit janë shpërndarë si aksesorë të produkteve Mac dhe pajisjeve të tjera me sistem iOS të kompanisë nga viti 2003 deri në vitin 2015.

Për të shmangur incidente të tjera, Apple u ka bërë thirrje klientëve të vet në Europën Kontinentale, Argjentinë, Brazil, Australi, Zelandën e Re dhe Korenë e Jugut që të paraqiten pranë dyqaneve të saj duke dorëzuar karikuesit defektozë dhe të marrin karikuesit e rinj.

Kompania thotë se parësore për të është siguria e klientëve dhe paralajmëron se modeli i karikuesve defektozë mund të shkaktojë edhe zjarr. Për të identifikuar aksesorët me probleme, Apple ofron ndihmë përmes faqes së vet zyrtare.

Top Channel