Aplikimet për studime, Erasmus+ në Universitetin “Epoka”

29/01/2016 00:00

Në kuadrin e çeljes së thirrjes së re për aplikime në programet e shkëmbimit të ofruara nga Universiteti Epoka, Zyra e Marrëdhënieve Ndërkombëtare zhvilloi një forum informues mbi programet e ofruara, me fokus të veçantë tek Erasmus+, programi i Bashkimit Evropian i cili mundëson bursa mobiliteti për studentët dhe stafin akademik për mësimdhënie drejt universiteteve partnere.

Studentët që vazhdojnë studimet e tyre Bachelor, Master dhe të Doktoratës mund të përfitojnë nga programi në fjalë.

Fushat në të cilat mundësohet programi i shkëmbimit janë inxhinieri ndërtimi, inxhinieri kompjuterike, inxhinieri elektronike dhe komunikimi dixhital, arkitekturë, ekonomi, shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare, administrim biznesi, informatikë ekonomike, financë-bankë, si dhe marketing ndërkombëtar dhe menaxhim logjistik.

Gjatë programit në fjalë u lançuan tre thirrje për aplikime, përkatësisht në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Mainz të Gjermanisë, në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme në Turqi dhe Universitetin Politeknik të Barit, në Itali.

Gjatë periudhës së shkëmbimit studentët do të financohen nga granti i lëvruar nga Komisioni Evropian. Programi i shkëmbimit mundësohet edhe nëpërmjet marrëveshjeve bilaterale me universitetet partnere si Sam Houston State University në SHBA, Tallinn University of Technology në Estoni, Universiteti La Sapienza, Itali, Universiteti Teknik i Stambollit, Turqi, etj.

Nisur nga fakti se interesi i studentëve për të marrë pjesë në programet e shkëmbimit është gjithnjë e në rritje, Universiteti Epoka po punon fort për zgjeruar rrjetin e universiteteve partnere me qëllim ofrimin e mundësive të reja për çdo student të regjistruar në Universitetin Epoka.

Top Channel