Google derdhi 1 miliardë dollarë në arkat e Apple, që kjo e fundit të vendoste si motor kërkimi kryesor google.com në pajisjet e veta me sistem iOS.

Agjencia e lajmeve Bloomberg, në një artikull të publikuar së fundmi thotë se dy gjigantët amerikanë të teknologjisë, rivalë të përbetuar, kanë arritur një ujdi të tillë në vitin 2014-të.

Marrëveshja i siguron Google një pozicion favorizues në pajisjet e Apple përsa i përket kërkimit në internet.

Kjo ka dalë në dritë gjatë padisë së ngritur nga Oracle Corp. kundër kompanisë Google. Oracle pretendon se Google ka ngritur sistemin Android mbi bazën e softëare-t të saj Java dhe nuk ka paguar asnjë qindarkë për këtë.

Sistemi Android i Google mbulon mbi 70 përqind të tregut të telefonave inteligjentë. Një pjesë e madhe e të ardhurave të kompanisë sigurohen nga reklamat, për të cilat kompania ameirkane tha javën e kaluar se kishte “hequr qafe” 780 milionë reklama të këqija. Me reklama të këqija, Google nënkupton “ads” që drejtonin përdoruesit drejt faqeve të infektuara, mashtronin apo zaptonin përmbajtjen e faqes ku reklamoheshin.

Top Channel