Shoqëritë që na ofrojnë shërbime thelbësore, dhe veprojnë në sektorin bankar, energjitik, të transportit apo të shëndetit duhet të përmirësojnë kapacitetin e tyre mbrojtës për t’i rezistuar krimeve kibernetike.

Ka qënë ky një vendim i Komisionit të Tregtisë në Parlamentin Europian, që ka miratuar pothuajse në unanimitet normat e reja të sigurisë informatike për të cilën më 7 dhjetor ishte arritur një marrëveshje informale mes Parlamentit, Këshillit dhe Komisionit.

Edhe disa ofrues të shërbimeve në internet, si dyqanet online si eBay apoAmazon, motorët e kërkimit si Google, apo shërbimet e ashtuquajtura “Cloud”, duhet ti përshtaten normave të reja mbi krimin kibernetik. Shoqëritë do të jenë të detyruara të monitorojnë infrastrukturën dhe të vënë në dijeni shtetet anëtare për të gjitha incidentet e rënda menjëherë

Të vetmet që përjashtohen nga detyrimi i këtyre direktivave do të jenë ndërmarrjet e vogla informatike. Teksti tashmë duhet të miratohet formalisht nga Këshilli i BE dhe Parlamenti, e më pas shtetet anëtare do të kenë 21 muaj kohë për të përshtatur këtë direktivë në legjislacionin e tyre, dhe 6 muaj të tjerë për të përcaktuar operatorët që do të quhen “shoqëri të shërbimeve thelbësore”.

Top Channel