Tre finalistët për “Topin e Artë”, ja çfarë thanë para ceremonisë

11/01/2016 00:00

Sot në orën 18:30 në Zyrih zhvillohet ceremonia e Topit të Artë për futbollistin më të  mirë të vitit 2015, ku në garë janë Lionel Messi, Neymar dhe Cristiano Ronaldo.

Por para mbajtjes së kësaj ceremonie kaq të rëndësishme tre finalistët kanë folur në një konferencë për shtyp duke u shprehur:

Lionel Messi: Të jesh këtu është një kënaqësi më vete, kjo është një gjë e bukur. Çdo vit unë përpiqen të paraqitem më mirë se një vit më parë. Viti i kaluar ishte i mrekullueshëm. 2015-ta ishte i mbushur me lumturi dhe me fitore, por sërish për të zgjedhur një mes nesh është e vështirë. Nuk ka shumë rëndësi se kush do të shpallet fitues sonte”, tha Messi, katër herë fitues i “Topit të Artë”.

Cristiano Ronaldo: “Është një çmim special. Punon gjatë gjithë vitit për të arritur gjëra të mëdha, jo vetëm kolektive, por edhe individuale. Është një çmim i rëndësishëm dhe unë jam për herë të tetë këtu, kështu që kjo është diçka e madhe dhe e rëndësishme për mua. Është një trofe i veçantë. Fjalët e mia të preferuara janë përkushtimi dhe puna e madhe. Duhet të jeni serioz në punën tuaj. Të jesh këtu për të tetën herë nuk është një rastësi. Ne të gjithë kemi talent, por pa punën ai nuk është asgjë. Unë dua të luaj futboll dhe të thyej rekorde gjithashtu”.

Neymar: Jam shumë i lumtur që ndodhem për herë të parë mes 3 finalistëve, gjithashtu që jam përkrah dy futbollistëve të mëdhenj dhe që i admiroj. Unë shpresoj që të jem sërish këtu. Nëse ekipi im do të vazhdojë të fitojë shpresoj të zgjidhem sërish mes 3 më të mirëve. Unë jam i kënaqur me rezultatet që kam arritur. Për këtë, unë dua të falenderoj shokët e skuadrës, Messin dhe të tjerët. Unë besoj se të gjithë kemi qëllimet tona, ne kemi historinë tonë. Ne jemi këtu për meritat tona”.

Neymar për Messi-n: “Unë jo vetëm që e admiroj atë në fushë, por edhe jashtë saj për personalitetin që ai ka. Ai është një idhull për mua. Messi është nominuar 9 herë për këtë trofe dhe ai mbetet një shembull. Ai përpiqet të thyejë dhe të vendos rekorde të reja dhe unë do të synoj ta ndjek hap pas hapi atë”.

Messi për Neymar: “Unë mendoj se ai nuk është pasardhësi i askujt. Ai është vetvetja dhe një lojtar i madh. Ai do të vazhdojë të zhvillohet dhe të rritet. Ai ka gjithçka për t’u bërë ai që dëshiron të jetë. Përveçse një lojtar i jashtëzakonshëm, Neymar është edhe një njeri i madh”.

Top Channel