45 shfaqje në 90 ditë, ky është bilanci i vitit që lamë pas duke përfshirë shfaqjet në skenë dhe projektet e edukimit përmes artit në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Që prej shtatorit, drejtuesja e këtij institucioni thotë se kalendari nisi me një ritëm të fortë me baletin “Carmina Burana” për të kulmuar me operën “Traviata”, suksesin e padiskutueshëm të vitit 2016.

“Ishte një kalendar i suksesshëm sepse ne realizuam qëllimin kryesor që ishte rritja e audiencës. Këtë e tregojnë shifrat, e tregon mbushja e sallës, mbushje e cila kulmoi tek opera ‘Traviata’, që ishte premierë absolute e këtij sezoni, po ishte edhe opera ‘Skënderbeu’, ishte ‘Madame Butterfly’, po ishte edhe “Flauti magjik”. Ishin shfaqje ‘sold out’ që dy ditë përpara, pra ishin shfaqje shumë të suksesshme”, u shpreh Zana Çela, drejtoreshë e TKOB.

Politikat e ndjekura ishin ato që sollën rritjen e audiencës sipas Çelës, duke vënë piketat mbi programacionin dhe kalendarin, që preku të gjitha grupmoshat: të rinj e fëmijë, si edhe cilësia në përformance me një kalendar ndërkombëtar.

Ndërsa tendenca për këtë sezon do të jetë gjinia e muzikalit.

“Kemi planifikuar që në 6-mujorin e dytë të 2017-s ne do të sjellim në skenat e Tiranës, por edhe në skenat e qyteteve të tjera, gjininë e muzikalit, do të ketë muzikal për të rritur, por edhe muzikal për fëmijë”, vijoi Çela.

“Qëllimi kryesor është rritja e audiencës dhe që të rrisim audiencën duhet të shkojmë në gustot e të gjithëve, duhet të kënaqim të gjitha audiencat, të gjitha grupmoshat, të gjitha shijet dhe dihet që muzikali është një gjini shumë popullore, shumë demokratike; prandaj muzikali, opereta do të jenë, ashtu siç do të jenë edhe titujt e mëdhenj që ne do të kemi në 6-mujorin e parë të 2017-s”, përfundoi Çela.

Top Channel