Talenti zbulohet që në fëmijë. Por nëse nuk e ke qe në hapat e para, ky nuk është fundi. Këtë e vërteton Guri Bulollari. Talenti i tij u shfaq në moshën 70-vjeçare.

“Me pyesin njerëzit: “Piktor je? Jo s’jam, por merrem me pikturë.” Piktura me vizatimin janë motër e vëlla, por ndryshojnë, sepse piktura ka cilësi tjetër, më të lartë se vizatimi. Edhe vizatimi ka cilësi të lartë, për atë që e kupton, për atë që nuk e kupton nuk vlerëson as pikturën që është shkalla më e lartë e vizatimit”, shprehet Guri.

Për Guri Bulollarin vendlindja është frymëzimi i tij i parë, prej nga ka marrë spunton, të hedhë në letër vijat dhe ngjyrat e para. Ashtu si poeti i madh Lazgush Poradeci, që i këndonte liqerit, edhe Bulollari fikson në letër peizazhin e fshatit turistik, që për të është më i bukuri në vend.

“Unë merrem vetë, jam autodidakt. Banoj në Lin, në fshatin më piktoresk të Pogradecit. Vendi është shumë i bukur dhe shtëpinë e kam afër liqenit”.

Ndonjëherë kthesat e vështira në jetë mund të japin një drejtim pozitiv. I tillë edhe rasti i Gurit, i cili pas zgjidhjes së martesës, gjeti qetësinë tek ngjyrat.

“Kur isha fëmijë e kisha qejf vizatimin bëja, por ishin konditat të dobëta. Për herë të parë unë kam vizatuar pasi më ndodhi divorci në martesë në vitin 2002, kur isha më i qetë”.

Sot Guri Bulollari është 70 vjeç dhe pas kaq shumë vitesh heshtjeje, prezanton për herë të parë në një ekspozitë të vërtetë punimet e tij. Janë rreth 30 vizatime në letër me të cilat ai bashkë me të tjerë artistë, i paraqet për publikun në edicionin e 22 të Onufrit në GKA. Për Gurin mosha është thjesht një numër, pasi për të ndjenja më e bukur është dashuria, që rri bashkë me muzikën në shpirtin e artistit 70-vjeçar.

“Unë si 70 vjeçar, si 20 vjeçar, qendra e gravitetit ka qenë gjithmonë dashuria e pastër, e sinqertë. Femra më violinë demonstron vajzën e pastër, karakterin e saj, ashtu siç është violina. Ana e dytë është që violina personifikon shkallën më të lartë të muzikës që është mbretëresha e instrumenteve. Çdo gjë që ka njeriu emocionet vetëm muzika ia heq, e violina a në veçanti. Muzikën e kam dashur që në fëmijëri, artin në përgjithësi dhe muzikën në veçanti”.

Guri ka përfunduar studimet e larta në degën e Gjuhë-Letërsisë në Elbasan, por nuk mundi të diplomohej, për shkak të persekutimit politik të sistemit të atyre viteve, duke punuar si punëtor krahu, deri para pak kohësh kur edhe doli në pension. Talentin e fjalës tani Guri e derdh në vizatim.

“Artist s’mund ta quaj unë…se unë vetëm vizatime kam…”.

Veç pasionit për vizatimin, Guri përpiqet të fitoje diçka më shumë se pensioni i tij i përmuajshëm.

“Këto këtu i kam prezantuar, i kam nxjerrë në natyrë rrugës në fshat në Pogradec”.

Vizatimet e Guri Bulollarit presin në GKA sy kureshtarë që mund t’i kundrojnë nga afër deri më 2 shkurt.

Top Channel