Meta takon liderët opozitarë të Kosovës

06/12/2015 12:10

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta ka zhvilluar takime të ndara me liderët e tri subjekteve opozitare në Kosovë.

Kryeparlamentari shqiptar deklaroi pas takimit me kryetarin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, se gjatë takimeve me krerët e opozitës ka diskutuar për mënyrën e gjetjes së një zgjidhjeje të krizës përmes dialogut.

“Vë re me kënaqësi që rrugët e dialogut mbeten të hapura dhe të pa shteruara. Dhe ka dëshirë dhe ka vullnet për të ecur drejt kapërcimit të këtij momenti delikat të funksionimit të institucioneve, me qëllim që të shënohet një progres për të gjitha ato çështje të debatuara deri tani dhe tanimë të njohura. Kështu që, unë besoj se politikanët e Kosovës i kanë të gjitha mundësitë dhe kanë vullnetin që përmes një procesi reflektues të rivendosin një dialog të qëndrueshëm që do t’i shërbejë shumë Kosovës dhe të ardhmes së saj evropiane”, tha Meta. 

Optimistë për gjetjen e një zgjidhjeje u shpreh edhe Fatmir Limaj, i cili tha se mund të ndodhë të ulen dhe të dialogojnë me krerët e institucioneve kosovare: “Natyrisht, e informuam zotin Meta për zhvillimin që ka qenë një shqetësim i përbashkët për të gjitha këto që po ndodhin, zhvillimet dhe rrugët e zgjidhjes. Dhe besoj që një vullnet i shtuar, një reflektim dhe një analizë e saktë e gjendjes reale në Kosovë nga ana e qeverisë do të hapte rrugë dhe zgjidhje”.

Para takimit me Fatmir Limajn, kryeparlamentari shqiptar është takuar edhe me kreun e Vetëvendosjes, Visar Ymeri dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Takimet e Metës me krerët e opozitës janë zhvilluar në një hotel në afërsi të Ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë. 

Ndërkohë, pasdite kryeparlamentari Meta ka takuar edhe presidenten Atifete Jahjaga, me të cilën po ashtu ka diskutuar për krizën politike.

Një natë më parë, kreu i Kuvendit të Shqipërisë ka takuar edhe homologun e tij kosovar, Kadri Veseli, me të cilin po ashtu ka diskutuar për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për krizën politike në Kosovë.

Kreu i legjislativit shqiptar tha se qëndrimi i tij për fundjavë në Kosovë nuk ka të bëjë me ndonjë vizitë zyrtare, prandaj ai tha se ka takuar vetëm kolegët nga Parlamenti, por jo edhe ata në Qeverinë e Kosovës.

Top Channel