Menaxhimi i hapësirës ajrore, deri në 2019-n nga NATO; më pas vet Kosova

04/12/2015 00:00

Pretendimet e Serbisë, që të marrë nën menaxhim hapësirën e kontrollit ajror mbi Kosovën, nuk do të mund të realizohen, pasi për këtë çështje vendos NATO.

Në Agjencinë për shërbimin e navigimit ajror të Kosovës kanë treguar për Top Channel se janë duke bërë përgatitjet e nevojshme, që pas vitit 2019 Kosova ta menaxhojë vet hapësirën e saj ajrore.

“Siguria e hapësirës ajrore të Kosovës është e mbrojtur dhe e siguruar prej autoriteteve të NATO-s dhe KFOR-it. Ajo i është deleguar prej NATO-s përkohësisht Hungarisë, deri në vitin 2019. Ndërsa pas vitit 2019, ne do të jemi të gatshëm ta menaxhojmë vet hapësirën ajrore të Kosovës”, tha Lorik Abdullahu, drejtor i operimeve ajrore në Kosovë.

Abdullahu ka treguar se Serbia, që nga paslufta i ka nxjerrë probleme Kosovës edhe në hapësirën e ulët ajrore, duke mos lejuar aeroplanët, që kanë destinacion Kosovën, të fluturojnë mbi hapësirën ajrore të Serbisë.

“Problematika e kësaj hapësire ajrore është se, Serbia është ende duke na bllokuar lejet e avionëve për të ardhur drejtpërdrejt përmes hapësirës ajrore të Serbisë dhe me destinacion Prishtinën. Domethënë, çdo fluturim që vjen për në Aeroportin e Prishtinës dhe niset prej tij duhet të fluturojë 200 milje ajrore më shumë, për të ardhur në Prishtinë përmes Maqedonisë, Shqipërisë, Malit të Zi, Kroacisë”, tha më tej Lorik Abdullahu.

Abdullahu ka treguar se, autoritetet kosovare për lëvizjen ajrore janë duke u ndihmuar nga autoritetet shqiptare të “Albcontrol”-it për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme.

Sipas Abdullahut, nëse duhet ta menaxhojë një shtet tjetër – veç Kosovës, – hapësirën ajrore të Kosovës, atëherë sipas tij më së shumti kushtet dhe kapacitetet i plotëson Shqipëria.

“Republika e Shqipërisë është e gatshme që ta menaxhojë hapësirën ajrore të Kosovës brenda 24 orëve. Mirëpo nuk e di, nëse ka një kërkesë zyrtare nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Po të jetë nevoja, ata janë të gatshëm brenda 24 orëve ta menaxhojnë. Knë kapacitete për menaxhimin e hapësirës ajrore të Kosovës, por edhe më shumë se Kosova”, tha Lorik Abdullahu, drejtor i operimeve ajrore në Kosovë.

Për shkak të pamundësisë së anëtarësimit në Organizatën ndërkombëtare për Aviacion Civil, Kosova humb brenda vitit 7 deri 8 milionë euro. Kjo pasi, për fluturimet e 400 deri 600 aeroplanëve, që fluturojnë në ditë përmbi Kosovë, paratë i merr Hungaria.

Agjencia për shërbimin e navigimit ajror të Kosovës, që është kompani publike, pronare e së cilës është Qeveria, ka nevojë për 13-15 milionë euro investime deri më 2016-n, për t’u bërë e gatshme për marrjen nën kontroll të hapësirës ajrore.

Top Channel