Gjermania në operacionet anti-ISIS, Parlamenti miraton kërkesën e qeverisë

04/12/2015 00:00

Ashtu siç pritej, Parlamenti gjerman e mbështeti nismën e dërgimit të avionëve të zbulimit “Tornado”, qindra trupave ushtarakë e një fregate në Siri kundër ISIS-it.

Planin për angazhimin e vendit në betejën ndaj Shtetit Islamik, por jo me rol luftarak, ligjvënësit në Bundestag e aprovuan me 445 vota “pro” e vetëm 146 kundër.

Votimi erdhi pas sulmeve vdekjeprurëse të Parisit në 23 nëntor dhe apelit të Francës për bashkim forcash përballë grupit të egër islamik. Berlini zyrtar beson se edhe Gjermania vetë mund të jetë shënjestër e ISIS-it. Ky do të jetë operacioni më i madh ushtarak i saj jashtë kufijve që prej atij të Afganistanit.

Mandati, fillimisht do të zgjasë një vit e do të ketë një kosto prej 134 milionë eurosh. Drita jeshile e Bundestagut ishte e pritshme, për arsyen e thjeshtë se koalicioni qeveritar ka atje një shumicë dërrmuese. Por, zërat kundër nuk mungojnë, dhe jo vetëm në nivel politik.

Analistë si Michael Luders,  një njohës shumë i mirë i problematikave të Lindjes së Mesme, mendojnë se bashkësia ndërkombëtare vazhdon të përsërisë gabimet e viteve të kaluara.

Menjëherë pas sulmeve të Parisit Franca shtoi sulmet ajrore ndaj pozicioneve të xhihadistëve në Siri dhe Irak, kujton ai. Presidenti Hollande po kërkon tani ndihmë nga Moska deri në Uashington për një koalicion të fortë kundër milicisë terroriste.

Dhoma e Ulët e Britanisë së Madhe votoi me shumicë dërrmuese për pjesëmarrjen e Londrës në bombardimet në Siri. Gjermania gjithashtu dëshiron të kontribuojë me një fregatë dhe avionë zbulimi satelitor.

“Udhëheqësit politikë nuk janë të gatshëm te mësojnë nga gabimet e së kaluarës”, kritikon eksperti që tërheq vëmendjen për atë çfarë ndodhi në Afganistan dhe Irak.

“Ne injorojmë faktin se ndërhyrjet e shteteve perëndimore në vendet e botës islame nuk nxitën stabilitetin, por përkundrazi, ndikuan ne shpërbërjen e shteteve”.  Luders paralajmëron sidomos ndaj përdorimit të trupave tokësore në Siri, sepse IS-i ndjek një strategji të qartë e kjo është tërheqja e shteteve perëndimore në një luftë tokësore, të cilën ata nuk mund ta fitojnë dot.

Top Channel