Rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë sonë dhe ndoshta këtë shkrim po e lexoni i adresuar nga një rrjet social, por çfarë ndodh përtej botës virutale, përtej komunikimit virtual?

Instituti i Kërkimit të Lumturisë, me qendër në Kopenhagen, publikoi një studim sipas të cilit “shkëputja e spinës” nga rrjetet sociale sjell një sërë pasojash pozitive.

Sipas këtij rezultati, tek njerëzit që zgjedhin të shkëputen prej rrjeteve sociale lumturia rritet, ulet zemërimi dhe ndjenja e vetmisë reduktohet.

Instituti danez pranon në raportin e vet se ka mbetur i habitur nga periudha e shkurtër pas shkëputjes prej rrjeteve sociale, që u është dashur personave që të ndjehen më shumë të lumtur dhe të plotësuar.

Studimi është kryer mbi një grup prej 1 mijë personash. Personave u është kërkuar që të japin një vlerësim për lumturinë e tyre në një shkallë nga 1 tek 10. Mesatarja e lumturisë së tyre ishte 7.67.

Pas kësaj matjetje, studiuesit u kërkuan gjysmës së personave të anketuar që të qëndrojnë larg rrjeteve sociale, sidomos Facebook, për një javë. Në përfundim të kësaj periudhë, dy grupeve, atij që vazhdoi të përdorë rrjetet sociale dhe atij që hoqi dorë prej tyre, iu kërkua që të bënin sërish një përshkrim të nivelit të lumturisë duke nisur nga 1 tek 10.

Rezultati; grupi i parë, ai që nuk hoqi dorë nga rrjetet sociale kapi një mesatare prej 7.75, pra thuajse e njëjtë me mesataren e mëhershme, ndërsa grupi i dytë kapi një mesatare prej 8.12 lumturie.

Socialogët danezë pranojnë që ky studim i tyre nuk mund të përfaqësojë një të vërtetë absolute, por mund të shërbejë si pikë referimi e mjaftueshme për të kuptuar ndryshimin dhe për këtë mjafton të përmendet fakti që personat që hoqën dorë nga rrjetet sociale për një javë ishin shumë më tepër aktivë në botën reale.

Top Channel