Meta: Naço i hapi rrugë ndryshimit

10/11/2015 19:50

Ilir Meta nuk e di nëse dorëheqja e Nasip Naços do të pasohet nga një valë largimesh të tjera në kabinetin qeverisës, por ajo që ai është i bindur është se kjo lëvizje ka hapur rrugën e ndryshimeve, apo impulseve të reja siç i quan ai.

“Nuk mund ta them këtë, por pa diskutim që ky ndryshim, për të cilin dua të falënderoj edhe një herë z. Naço që i hapi rrugë këtij ndryshimi, absolutisht që do t’i shërbejë impulseve të reja jo vetëm përsa i takon reformës në drejtësi dhe në këtë plan absolutisht jam i bindur që është një lëvizje mjaft pozitive”, tha Meta.
 
Falenderimin ballë për ballë Meta duket ia ka bërë Nasip Naços gjatë paradites, kur e priti në zyrë ministrin e dorëhequr të LSI-së. Ministri i dorëhequr i drejtësisë u shfaq i qeshur përpara kameras, por shmangu komentet.

Por, përpara se të takonte ministrin e larguar Ilir priti ministrin e ri të drejtësisë. Ylli Manjani ka nënvizuar fort angazhimin për reformën në drejtësi, për të cilën paraardhësi tij deklaroi se po jepte dorëheqjen për shkak të mungesës së mjaftueshme të bashkëpunimit me institucionet e tjera. Por Ylli Manjani beson në të.

“Po përgatisim një axhendë agresive për të ndërtuar një sistem gjyqësor dhe administrativ gjithashtu”, tha Manjani.

I pyetur për mënyrën sesi do të bashkëpunojë me Edi Ramën, ndaj të cilit  deklaratat e tij kane qenë jo pak të ashpra kur ishin në kampe të ndryshme politike, Manjani tha se reformat janë prioritare.

“Jemi në krah dhe në një axhendë agresive reformash dhe kemi shumë punë për të bërë. Të fokusohemi tek punët”, tha Manjani.

Vlerësim për punën e Naços ka ardhur edhe nga socialisti Bashkim Fino, anëtar i Komisionit të Ligjeve, me të cilin një ministër Drejtësie ka bashkëpunime të shpeshta.

“Një ministër shumë i mirë dhe të shpresojmë që ministri i ri të jetë në lartësinë e Nasip Naços. Nu mendoj që imponon kreu i Kuvendit kryeministrin. Ata Janë dy partnerë që kanë një kontratë të përbashkët qeverisjeje”, u përgjigj Fino.

Ndërsa ish-kryeministri Fino nuk e lexon si imponim të Metës ndaj Ramës për ndryshime të tjera në qeveri këtë lëvizje me Naçon, për demokratin Astrit Patozi, që ka qortuar shpesh funksionimin e qeverisë se majtë, simbolika e kësaj dorëheqjeje është e qartë.

“Ilir Meta dje dha një mesazh që është ai i zoti i vendit dhe gjithçka tjetër që do të ndodhë pas kësaj janë taktikë dhe kalkulim në një rivalitet të ashpër të mafias në qeveri”, deklaroi Astrit Patozi.
Po aq dinamike ka qenë dita edhe në Kryeministri. Përveç një pjese të ministrave socialistë që kanë qenë në takim me kryeministrin, në selinë e qeverisë ka hyrë për të dytën ditë radhazi edhe ministri i ri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili në mbrëmje është dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe të enjten ky dekret pritet të kalojë në Kuvend.

Top Channel