Dështimi i pranimit të Kosovës, reagojnë VV dhe AAK

09/11/2015 00:00

Në Kosovë, rezultati i ngushtë i  votimit është pritur me pakënaqësi, sisdomos ndaj vendeve që e kanë njohur pavarësinë dhe konsiderohen miq të Kosovës, por që ose votuan kundër, ose abstenuan në votimin e zhvilluar sot në Asamblenë e Përgjithshme të UNESCO-s për anëtarësimin e saj.

Në një postim në Facebook, kryetari i Vetevendosjes, Visar Ymeri ka shkruar se sulmi diplomatik i Serbisë, i ushtruar gjatë kësaj kohe kundër pranimit të Republikës së Kosovës në UNESCO, e dëshmon shumë qartë atë që të gjithë e dinë, e që disa nuk po duan ta kuptojnë: Serbinë e kemi armik, që nuk zgjedh mjete për të na luftuar.

“Sa më të urtë dhe të nënshtruar ndaj Serbisë, aq më e egër është ajo ndaj nesh. Prandaj, me të nuk mund të merremi vesh e të dialogojmë, pa ndryshuar thelbësisht ajo së pari. E aq më pak t’ia plotësojmë kërkesat në Kosovë. Me gjithë rezultatin negativ për Kosovën, gjejmë rastin të falenderojmë përzemërsisht Republikën e Shqipërisë, ministrat Bushati e Kumbaro, si dhe vendet mike, që sinqerisht e mbështesin Kosovën”, ka shkruar Ymeri.

Ndërkohë, AAK shpreh keqardhje për mospranimin e Kosovës në UNESCO. “Kosova e ka merituar plotësisht të jetë anëtare e kësaj organizate, por votimi i sotëm shpjegon sesa e komplikuar është rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë, por edhe në vetë Kombet e Bashkuara”.

Më tej, në komunikatën e AAK-së theksohet se, “Për fatin e keq, koncesionet që ka bërë Kosova në raport me vendet fqinje, duke përfshirë këtu edhe dy marrëveshjet e fundit me Serbinë dhe Malin e Zi, nuk ishin të mjaftueshme që Serbia të mos zhvillonte një fushatë të egër kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO”.

Megjithatë kjo, në asnjë situatë nuk bën të na dekurajojë nga përkushtimi dhe vendosmëria jonë, që anëtarësimin në UNESCO, OKB dhe organizata të tjera ta synojmë me çdo kusht. E drejta është në anën e Kosovës, shkruan më tej AAK.

Top Channel