Kryeministri qëllohet me vezë; shoqërohen 8 studentë

02/11/2015 00:00

Askush, ndoshta me përjashtim të disa të rinjve, nuk e kishte menduar se fundi i një aktiviteti rutinë, si ato që kryeministri zhvillon thuajse çdo ditë, do të kthehej në ngjarjen e ditës.

Pas përfundimit të takimit me përfaqësues të biznesit të vogël, që u zhvillua në sallën e Fakultetit të Çështjeve Sociale, kryeministri u godit me vezë nga një grup studentësh.

Vezët janë hedhur në momentin kur kryeministri po hynte në makinën e tij, por asnjëra nuk e goditi atë.

Policia ndërhyri menjëherë duke larguar turmën e studentëve protestues si dhe ka shoqëruar tetë prej tyre, që i përkasin “Lëvizjes për Universitetin” dhe “Klubit Politik të Kosovës”.

Mësohet se protagoniste e incidentit ka qenë studentja Klodi Hoxha, një nga aktivistet protestuese të studenteve kundër ligjit të ri për arsimin e lartë.

23-vjeçarja Hoxha ka qenë ajo që ka qëlluar e para me vezë në drejtim të kryeministrit. Pas shoqërimit nga policia, fillimisht të rinjtë janë dërguar në Komisariatin nr 2 dhe rreth orës 14 janë transportuar për në mjediset e Drejtorisë së Policisë.

Pas kësaj ka reaguar edhe grupimi studentor Lëvizjes për Universitetin, së bashku me Klubin Politik nga Kosova. Sipas deklaratës së Lëvizjes për Univesitetin, aktivistët ishin mbledhur para Fakultetit të Shkencave Sociale për të protestuar kundër një konference të mbyllur mbi biznesin, ku do merrte pjesë edhe kryeministri Rama.

Pas mbarimit të konferencës, aktivistët kanë goditur kryeministrin Rama me vezë dhe në atë moment policia ka ndërhyrë duke shoqëruar tetë prej tyre në Komisariatin nr 2.

Aktivistët thonë se gjatë rrugës policia ka ushtruar dhunë fizike. Sipas tyre qeveria përdori Policinë e Shtetit për të kaluar forcërisht një reformë që pasuron universitete private, ndërsa tashmë qeveria po përdor dhunën policore për të ruajtur privelegjet e privatëve.

Sipas Lëvizjes për Universitetin, të ndaluarit nga policia janë Anita Lushi, Bora Mema, Klodi Hoxha, Viki Cipi, Liri Kuçi, Durim Jasharaj, Dardan Konjufca dhe Valton Marku.

E ndërsa të ndaluarit u dërguan në mjediset e Drejtorisë së Policisë, shokë dhe përfaqësues të lëvizjes u mblodhën përpara godinës duke kërkuar lirimin e tyre.

Me kalimin e orëve, numri i studentëve përpara Drejtorisë së Policisë është shtuar. Ata kanë qëndruar ulur përpara hyrjes në pritje të lirimit të shokëve të tyre, duke u shprehur se është e drejtë e tyre të protestojnë dhe të kundërshtojnë përdorimin e Fakultetit si mjedis për të bërë politikë, sikurse bëri kryeministri Rama.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel