Autoritetet gjermane kanë vënë në shënjestër rrjetin social Facebook, të cilin e akuzojnë për nxitje të urrejtjes, kryesisht kundër emigrantëve.

Prokuroria në Hamburg po shqyrton mundësinë e ngritjes së një padie kundër menaxherëve të Facebook. Një zëdhënëse thotë se pas një kallëzimi më 5 tetor kanë nisur edhe hetime…

Revista “Spiegel”, e gjithashtu agjencia e lajmeve Reuters raportojnë rastin e një avokati nga Würzburgu që ka bërë një kallëzim ndaj tre përfaqësuesve të lartë të Facebook-ut në Gjermani dhe jashtë vendit.
Ata akuzohen, se nuk i kanë shuajtur me kohë mesazhet e urrejtjes. “Facebook përpiqet ta paraqesë gjendjen sikur nuk mund të bëhet asgjë”, thotë avokati për Reuters. “Ndërsa rastet e tjera tregojnë se Facebook mund t’i shuajë mesazhet, në qoftë se do.”

Shefi i Facebook-ut Mark Zuckerberg i ka premtuar muajin e kaluar kancelares Angela Merkel, se do të kujdeset për parullat e urrejtjes. “Mendoj se duhet të punojmë në këtë drejtim”, tha Zuckerberg në takimin e kancelaren Merkel në Nju Jork. Kur Merkel e pyeti nëse gjendja do të përmirësohet, ai tha: “Po”.

Në mesin e muajit shtator ministri i Drejtësisë Heiko Maas u takua në Berlin me përfaqësuesit e Facebook-ut. Maas u shpreh i irrituar nga faktin që fotografitë nudo shuhen menjëherë, ndërsa parullat raciste dhe armiqësore ndaj të huajve jo.

“Spiegel” njofton se edhe videoplatforma YouTube është në shënjestër të kritikave për publikimin e videove të urrejtjejes ndaj refugjatëve.

Top Channel