Facebook është duke i dhënë dorën e fundit platformës së vet të hedhjes dhe shpërndarjes së videove në internet, me anë të së cilës synon të shndërrohet në rivalin më serioz të platformës Youtube të Google.

Për momentin gjithçka është në fazën e testimit dhe platforma e videove shfaqet si në versionin ëeb ashtu edhe në atë të aplikacioneve të rrjetit social. Synimi është që përdoruesit ta kenë më të lehtë “gjetjen, shikimin dhe shpërndarjen e videove të ngarkuara në serverat e Facebook.

Sipas ekspertëve, projekti i Facebook është kërcënimi më serioz që Youtube e Google ka parë ndonjëherë dhe mund t’i japë fund hegjemonisë disavjeçare të këtij rrjeti në botën e internetit.

“Që tani Facebook ka 20 përqind të kohës së njerëzve që lundrojnë në internet dhe ka një masë të dhënash të jashtëzakonshme mbi përdoruesit e tij, që është mjaft interesante për kompanitë e marketingut”, thotë Ian Maude, i Enders Analysis.

Facebook deklaron se në fazën e testimit vetëm një grup i vogël i përdoruesve të tij do të jenë në gjendje të shohin platformën video…dhe me “grup të vogël” Facebook nënkupton disa milionë përdorues.

Top Channel