Dy të vdekur në aksidente rrugore në Kosovë

11/10/2015 00:00

Dy persona kanë gjetur vdekjen këtë të diel si pasojë dy aksidenteve automobilistike të veçanta të ndodhura në rrugët e Kosovës.

Bëhet fjalë për një aksident në fshatin Vreniq të Istogut, ku i aksidentuari kishte pasur një aksident më herët, por sipas autoriteteve nuk i ka shpëtuar dot aksidentit të dytit.

Aksidenti tjetër i regjistruar ka ndodhur në fshatin Dolc të Klinës. Sipas autoriteteve deri te ky aksident ka ardhur pasi drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin në rrugë dhe është përplasur në mbrojtëset e rrugës. Për pasojë një pasagjer ka gjetur vdekjen, ndërsa tre të tjerët janë lënduar dhe ndodhen në QKUK për ndihmë mjekësore.

Policia e Kosovës ka bërë një apel për kujdes në rrugë tek qytetarët tani në periudhën e vjeshtës, kur rrugët bëhen më të rrëshqitshme dhe dukshmëria në trafik zvogëlohet.

Në një komunikatë për media thuhet se policia me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në vend, ngritjes së sigurisë në komunikacionin rrugor, gjatë sezonit të vjeshtës do të ushtrojnë kontrolle të vazhdueshme në gjithë territorin e vendit, për të krijuar një qarkullim më të sigurt në komunikacionin rrugor për të gjithë qytetarët.

Top Channel