Ymeri: VV mban përgjegjësi për aksionet e saj

10/10/2015 20:00

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka konfirmuar se deputeti Albin Kurti ndodhet në Norvegji për një vizitë pune e jo pse është larguar për shkak të bastisjeve nga Policia.

Ymeri tha se Albin Kurti shumë shpejt do të kthehet në Kosovë dhe siç tha ai, Vetëvendosje mban përgjegjësi për të gjitha aksionet e saj qoftë brenda apo jashtë institucioneve, ndërsa tha se veprimet e fundit janë të koordinuara edhe me dy subjektet e tjera opozitare.

Këto komente Ymeri i bëri të shtunën gjatë një konference për media ku paraqiti edhe rrezikun që i kanoset shtetit të Kosovës nga marrëveshjet e fundit të nënshkruara nga kryeministri Isa Mustafa në Bruksel.

Me këtë rast, Ymeri ka numëruar resurset kryesore ekonomike që ka Kosova e të cilat ndodhen në territoret e komunave me shumicë serbe, që me marrëveshjen e re, sipas Ymerit administrohen nga Asociacioni i Komunave, apo siç e quan në serbisht vetëvendosje, “Zajednica” per analogji me precedentin e ngjashëm sipas tyre në republiken srpska te Bosnjes.

“Që prej liqenit të Ujëmanit në veri, që prej pjesës më të rëndësishme të Trepçës në komunën e Zveçanit e deri tek resursi turstik që e ka Kosova në Brezovicë, e deri tek burimet e tjera të ujit që gjenden nëpër territorin e Zajednicës. Duhet ta kuptojmë që Zajdencia është entitet edhe territorial, përveçse juridik dhe politik dhe në këtë territor përmblidhen territoret e dhjetë komunave me shumicë serbe”, tha Ymeri.

Kreu i Vetëvendosjes tha se bastisjet e Policisë në zyrat e deputetëve të Vetëvendosjes nuk do të ndalin opozitën e cila sipas tij pas peticionit të nënshkruar nga qindra mijëra qytetarë do të organizojne edhe protesta në kundërshtim të marrëveshjeve me Serbinë.

“Natyrisht që ky proces i mobilizimit do të rezultojë me protesta dhe demonstrata kundër qeverisë dhe kundër këtyre marrëveshjeve. Por kjo nënkupton natyrisht se varet pak edhe prej rrethanave objektive në kuptimin e zhvillimeve politike që janë në këto institucione se instanca pushteti, veçanërisht te qeveria. Në këtë drejtim një datë të saktë nuk e kam sot mirëpo çka është e vërtetë dhe çka është e qëndrueshme është përkushtimi i tri subjekteve opozitare që në bashkëpunim me njëra tjetrën ti kundërshtojnë dhe të mos lejojnë zbatimin e këtyre marrëveshjeve në Republikën e Kosovës”, shtoi ai.

Në konferencën për gazetarë, kryetari i Vetëvendosjes akuzoi kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli i cili sipas tij po përpiqet që të shmangë përgjegjësinë dhe ta kalojë menaxhimin e Kuvendit në duart e deputetëve, me qëllim që sipas tij, të nxisë dhunën mes tyre.

Top Channel