Mustafa: Opozita po tenton të marrë pushtetin me dhunë

10/10/2015 11:35

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se partitë e opozitës Vetëvendosje, AAK dhe Nisma po tentojnë të marrin pushtetin përmes dhunës, pa respektuar asnjë rregull ligjor e demokratik.

Mustafa ka shkruar në profilin e tij në Facebook se nuk do ta tërheqë nënshkrimin nga marrëveshjet për demarkacionin me Malin e Zi dhe as atë për Asociacionin e Komunave Serbe.

Ai ka thënë se marrëveshja me Malin e Zi do të korrigjohet nëse dikush e dëshmon se Kosova ka humbur territor.

“Për vendin tonë nuk janë problem real as asociacioni dhe as demarkacioni me Malin e Zi. Problem është abstenimi në zbatimin e ligjit dhe rregullave, që stimulon hyxhymin e dhunshëm për të ardhur në pushtet jashtë rregullave demokratike”, ka shkruar Mustafa.

Reagimi i tij ka ardhur pas seancës parlamentare të fundit që u karakterizua nga një rrëmujë e deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje, të cilët, të mbështetur nga AAK dhe Nisma, hodhën gaz lotësjellës në sallë për të kundërshtuar marrëveshjet.

Top Channel